Humori, energjia, krijimtaria dhe vëmendja jonë ndikohen nga ngjyrat. Në natyrë , në veshje apo edhe në ambientin e shtëpisë psikologët sugjerojnë të jemi të vëmendshëm ndaj terapisë së ngjyrave. Natyra është vendi më i mirë për t’u relaksuar por edhe nga ku mund të “vjedhim” ngjyrat e duhura me të cilat do të kemi dorë të lirë për t’i përdorur në çdo element që ne dëshirojmë.
Ngjyrat e tokës si kafe, bezhë, kamel, portokalli dhe nuancat e arta të tyre, janë ngjyra të ëmbla elegante dhe janë ngjyra që nuk dalin kurrë nga moda. Nëse këto ngjyra kombinohen në mënyrën e duhur ato krijojnë një ambient luksoz dhe elegant.
Natyra përbëhet edhe nga tre ngjyra bazë të saj të cilat mbajnë dhe përçojnë një mesazh të veçantë duke na treguar pse ne duhet ti përdorim më shpesh.
E verdha, ngjyra e natyrës dhe e diellit trasmeton menjëherë energji dhe ngrohtësi.
Bluja, ngjyra që përfaqëson reflektim dhe meditim, ngjyra e qiellit dhe e detit.
E gjelbra, ngjyrë çlodhëse e lidhur me ngjyrën e livadheve, maleve dhe natyrës në përgjithësi.
Tundimit për të qenë pranë natyrës nuk i kanë shpëtuar as stilistët në sfilatat e çdo viti duke këshilluar që këto ngjyra të zhvendosen edhe në ambientet e shtëpisë. Ky mishërim është cilësuar edhe si një ripërtëritje e saj duke i shenjuar këto ngjyra si të sigurta, të qeta dhe të rehatshme.