Ndërsa vëmendja gjatë arredimit të shtëpisë përqëndrohet tek mobiljet, ajo që vjen e dyta por që është më e rëndësishmja është ngjyra që do të zgjedhim për muret e shtëpisë. Zgjedhja e ngjyrës shpesh është edhe çoroditëse, por për të pasur një rezultat të dëshiruar duhet të kemi në vëmendje tre pika të rëndësishme.
Dhomën ku do të aplikohet, nëse kjo është dhoma e ndenjes, dhoma e gjumit apo dhoma e fëmijëve. Përmasat e ambientit ku do të aplikohet dhe më e rëndësishmja janë preferncat personale. Ngjyrat jo vetëm që i shtojnë bukurinë shtëpisë por në të shumtën e rasteve ato ndikojnë edhe në gjendjen emocionale të personave që banojnë në të, për këtë arsye ato duhet të jenë në harmoni me mobiljet por edhe me hapësirën e ambientit.
Nëse është një ambient i vogël ngjyrat gjithnjë duhet të jenë të hapura për ti dhënë përmasa më të mëdha atij dhe nëse është një ambient më i madh atëherë nuk jemi shumë të kufizuar në zgjedhje. Por këtë vit propozohet si trend ngjyrat që janë të lidhura me natyrën. Këto ngjyra bëjnë që natyra të ndihet edhe në ambientin e brendshëm duke na dhënë ndjesinë e lirisë, mundësinë për të medituar dhe relaksuar. Siç janë tonalitet e blusë, jeshiles dhe ngjyrat e lehta të tokës duke e bërë shtëpinë sa më mikpritëse.
